Shkodranët i kanë rezervuar një pritje madhështore premierës së filmit “Në kuadër të dashurisë”, filmit të prodhuar nga TopMedia.
Kinema “Milenium” ishte shumë e vogël dhe artdashësit shkodranë pritën në rrugë aktorët, duke duartrokitur fort protagonistët e filmit, Olta Gixharin dhe Luiz Ejllin.
Ndërkohë që Luizi ka qënë i pa shoqëruar nga Kiara, Olta ka bërë një paraqitje të veçantë, duke zgjedhur përkrah saj, Amarin, djalin e saj.
Pavarësisht se e kanë përqafuar dhe mirëpritur praninë e Oltës, sërish aktorja është ngacmuar nga mediat shkodrane, ku njëra prej tyre i ka drejtuar pyetjen se si ndihet në strofullën e ujkut, duke iu referuar faktit se është në vendlindjen e Luizit.
Gazetari: Si ndiheni po themi në “strofullën e ujkut?
Olta Gixhari: “Ndihem shumë mirë. Unë erdha me shumë dashuri. Shkodra është qyteti i të gjithë shqiptarëve sikurse është edhe i imi sigurisht. Edhe i dua shumë shkodranët. Më kanë shkruar shumë, e di që shumë prej tyre më kanë mbështetur dhe vazhdojnë të më mbështesin. Ju jam shumë mirënjohëse. Faleminderit”.
Gazetari: Kur thua që i dua shumë shkodranët, e përjashton Luizin?
Olta Gixhari: Jo, nuk përjashtoj asnjë.
Kujtojmë që në premierën e filmit, ishin të pranishme edhe figura të qytetit mes tyre edhe “Mjeshtrit e Mëdhenj”, Zyliha Miloti, Besnik Cinari dhe Frederik Ndoci.
Ky i fundit së bashku me Luizin kënduan së bashku për publikun shkodran.
“Zëri mjaft i bukur”, e komplimentin Frederik Ndoci Luizin.
“Jemi rritur me këto këngë gjithmonë. Faleminderit që jetoni. Jemi me fat që jetojmë në kohën tuaj, na keni rritur”, thotë Luizi.