Mbetjet janë një problematikë konstante për Shkodrën, kryesisht inerte të cilat prej vitesh kanë kthyer zona të caktuara në vend-depozitime të paligjshme duke sjellë një imazh të shëmtuar për mjedisin dhe dëm për komunitetin.

Së fundmi vatrat e reja kanë nisur që të shfaqen në zona të ndryshme, një ndër to segmenti Ajasëm-Tepe ku situata ka arritur deri në kufijtë e një skandali mjedisor.Çdo ditë në këtë rrugë hidhen tonelata mbeturinash dhe inertesh të ndryshme.

Pamjet flasin qartë se si apelet ndaj institucioneve vijojnë të bien n vesh të shurdhët sepse gjendja sa vjen e rëndohet.Varrezat e Dëshmorëve, Shtrati i Kirit dhe së fundmi segmenti në lagjen Ajasëm janë disa prej “hotspot”-eve të mbetjeve inerte por dhe urbane në Shkodër.

Edhe pse në disa raste ka patur premtime se personat që ndotin ambjentin duke hedhur inerte do të ndëshkohen me masa administrative gjobë, sporadike kanë qenë rastet kur personat e papërgjegjshëm janë përballur me ligjin.Në të njëjtën kohë nuk dihet ende se deri kur kjo situatë e papranueshme do të vijojë të jetë në këtë gjendje, kur mendon këto pamje janë vërtet skandaloze ku mbetjet lulëzojnë çdo ditë.