Policia ka zbardhur detaje lidhur me vdekjen e një të mituri në Tiranë, pasi iu nënshtrua një operacioni disa orësh në klinikën dentare. Sipas policisë, i cili i referohet denoncimit të prindërve të 3 vjeçarit, i mituri pas mjekimit në klinikën dentare ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh ka humbur jetën. Për rastin e rëndë Prokuroria ka nisur një hetim për personin e identifikuar me iniciale R. Xh., 70 vjeç.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin R. Xh., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi B. S. se shtetasi R. Xh. ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në klinikën e tij private, djalin 3-vjeçar të shtetasit B. S., i cili pas mjekimit në këtë klinikë ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh, ka humbur jetën, në spital”, njofton policia.