Gjovalin Guri, i cili është shpallur në kërkim si autori i vrasjes së xhaxhait Zef Guri dhe plagosjes së djalit të xhaxhait Gjin Guri, ka dhënë dëshminë e tij nga arratia. Për gazetarin e ‘News24’, Senad Nikshiqi, Guri tha se në momentin kur ka ndodhur vrasja ka qenë në një shtëpi i fshehur ndërsa ngjarjen e ka marrë vesh përmes një telefonate.

I dyshuari mohon akuzat duke thënë se prej 12 vitesh nuk merret më me shfrytëzimin e pyllit.

Para dy vitesh Gjovalin Guri u akuzua për kultivimin kanabisi por edhe për ato akuza thotë se është i pafajshëm. Prej asokohe vijon që të jetë në kërkim nga policia. Vrasja e xhaxhait Zef Guri dhe plagosja e djalit të xhaxhait Gjin Guri është një tjetër çështje që tashmë sipas policisë rëndon mbi Gjovalinin, gjë e cila bën që 40-vjeçari të mos dorëzohet nga frika e padrejtësisë.

I dyshuari ka vetëm një kërkesë për shtetin shqiptar që të bëhet drejtësi dhe të hiqen akuzat ndaj tij sepse pretendon se është i pafajshëm qoftë për vrasjen por edhe për kanabisin ndërsa rrëfen edhe jetën e vështirë në arrati prej dy vitesh. 40-vjeçari bën apel që policia të gjejë autorët e vërtetë.

Policia vendore e Shkodrës deri më tani nuk ka prova konkrete lidhur me vrasjen e Zef Gurit dhe plagosjen e djalit të tij Gjin Guri. Arsyeja e shpalljes në kërkim të Gjovalin Gurit, kushëri i parë i të dëmtuarve lidhet vetëm me një debat që mendohet se vijon prej vitesh mes tyre për shfrytëzimin e një hapësire pyjore./Dosja.al