Kryeministri Edi Rama iu është bashkuar thirrjes së SHBA-së për uljen e tensioneve në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Kreu i qeverisë, i bën thirrje lidershipit të Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi.

Ai shtoi se Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

“Shqipëria i bashkohet thirrjes së Qeverisë së SHBA-së për deeskalim të menjëhershëm në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. I bëj thirrje lidershipit të Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi. Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, shkruan Rama.

Shtetet e Bashkuara shprehen shqetësime pasi panë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara. Në thirrjen lidhur me këtë zhvillim, Uashingtoni ashpërsoi tonet me Serbinë, duke i kërkuar të tërheqë menjëherë forcat nga kufiri.

Çfarë ka ndodhur në veri të Kosovës?

Të dielën e zezë të 24 shtatorit u vra nga kriminelët serbë, efektivi në krye të detyrës Afrim Bunjaku si dhe u plagosën 2 policë të tjerë. Sipas të gjitha informacioneve, pasi vranë efektivin, serbët u ngujuan prej më shumë se 8 orësh në Mansitirin e Banjskës në Zveçan ku shkëmbyen zjarr me efektivët e Policisë së Kosovës.

Nga ky shkëmbim, vdiqën 4 serbë ndërsa u arrestuan 6 serbë. Sveçla bëri të ditur edhe sasitë e frikshme të armatimeve që serbët kishin futur në territorin e Republikës së Kosovës. Kosova akuzon Serbinë se ka financuar grupin kriminal ndërsa Vuçiç e mohon e thotë se fajtor është Albin Kurti./Dosja.al