Martin Bardhi u ekzekutua mëngjesin e sotëm në lokalin e tij në Rrëshen, nga dy persona të maskuar të cilët ende nuk janë identifikuar.
Përpos Bardhit i cili mbeti viktimë e atentatit, u plagosën dhe tre të afërm të tij.
Dy prej të plagosurve në atentatin ku mbeti i vrarë Martin Bardhi, janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se Olti Gjini dhe Indrit Bardhi janë transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë dhe po luftojnë për jetën. Ndërsa Ilir Bardhoku është në gjendje më të mirë shëndetësore.
Ngjarja ndodhi paraditen e sotme në Rrëshen, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan ndaj Bardhit, në biznesin në pronësi tij, që ndodhet pranë komisariatit të policisë.
Martin Bardhi humbi jetën në vend si pasojë e plagëve, ndërsa plumbat kapën edhe miqtë e tij, me të cilët ndodhej në një tavolinë.
Ndërkohë autorët, të paidentifikuar ende u larguan me një mjet, tip fuoristradë, e cila u gjet e djegur në fshatin Gëziq.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.