Një 38-vjeçar është vënë në prangat e policisë në Vaun e Dejës pasi kultivoi bimë narkotike në fshatin Qerret.
Shërbimet e policisë finalizuan operacionin e koduar “Seized” ku u asgjësuan nëpërmjet djegies 115 bimë narkotike kanabis dhe arrestuan autorin e dyshuar të mbjelljes së lëndës narkotike, 38 vjeçarin F.G.
Gjithashtu policia hapi dhe një procedim penal për shtetasen D.G., banuese në Shkodër, bashkëshorte e F.G.
Njoftimi i Policisë:
Vau i Dejës
Finalizohet pas disa muajsh hetime, operacioni policor i koduar “Seized”, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Qerret.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një 38-vjeçar, autor i dyshuar i këtij rasti, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij, bashkëpunëtore në këtë veprimtari kriminale.
Asgjësohen me anë të djegies 115 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që ishin kultivuar në këtë fshat.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas një pune hetimore disamujore, në drejtimin e Prokurorisë, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Seized”, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Qerret, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe asgjësuar me anë të djegies, 115 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. G., 38 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen D. G., 34 vjeçe, banues në Shkodër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
#angazhimpërkushtimsakrificë️
#tëvendosurkundërkrimit
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve️️
#denonconë112