Tensionet janë rritur sërish në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Një pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë dhe 2 të tjetër janë plagosur si pasojë e një sulmi me armë në Zveçan. Policia e Kosovës ka bërë me dije se tre prej sulmuesve në veri, janë vrarë në shkëmbimet me armë zjarri me efektivët e policisë së Kosovës në Manastir. Më herët, kryeministri Kurti bëri me dije se në Manasitur janë ngujuar 30 serbët e armatosur dhe shkëmbejnë zjarr me efektivët e policisë së Kosovës. Ndërkohë mediat e Kosovës bëjnë me dije se janë arrestuar 3 serbë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:34 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 kur në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamionë pa targa, duke e bllokuar lëvizjen. Autoritetet e Kosovës fajësojnë Serbinë për vrasjen dhe tregojnë si ndodhi.

“Grupet kriminale të mirë organizuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, pas bllokimit të urës me mjete të rënda dhe pamundësimit të qasjes në fshatit Bajnskë, kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë rreshteri i policisë së rendit Afrim Bunjaku është vrarë, dhe dy të tjerë janë plagosur gjendja e të cilëve është stabile” informoi rreth orës 14:00 ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla0

Autoritetet e Kosovës bëjnë me dije se është një grup prej 30 personash të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme të cilët vijojnë të qëllojnë drejt policisë.

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për median mesditën e sotme deklaroi se sulmi mbi policinë vijon dhe tregoi foto të formacionit dhe armatimit që ata disponojnë

“Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethimin e forcave policore. I ftoj të dorëzohen. Formacion me profesionistë, ushtarak në Zveçan në dhe rrotull manastirit atje. Këto automjete janë pa targa, nuk i posedojnë serbët lokalë dhe askush që është civil në republikën tonë. Këto janë dy kamionët që kanë vendosur tek ura për të bllokuar qarkullimin. Shihni atje një person të maskuar që mban armë krahu që nuk është tipike për policinë.” tha kryeministri Kurti.

Burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit por policia e Kosovës kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë.

Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme.Burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth.

Njësitë tona policore janë aktivizuar në terren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë” deklaroi Sveçla.

Kurti tha se grupi i armatosur ka ardhur të luftojë dhe bëri thirrje të dorëzohen.

“Kanë ardhur të luftojnë në Kosovë. Ne nuk duam luftë ne duam paqe. Dhe paqja do bëhet kur këta mbi 30 persona ti dorëzohen policisë. Kemi të bëjmë me banda të kontrabandës. Këto janë formacioni profesionistë, ushtarake a policore dhe u takon ekspertëve të vlerësojnë se ça janë këto uniforma”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga ana e saj e quajti sulm të “planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.

Përfaqësitë diplomatike në Kosovë kanë dënuar sulmin duke bërë thirrje që autorët të vihen para drejtësisë. Mes tyre edhe Ambasadori i SHBA Jeffrey Hovenier, i cili tha se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Pika e kalimit kufitar në Bërnjak dhe e Jarinjes janë mbyllur ndërsa forcat e KFOR janë dislokuar në zonë.