Ditën e sotme (18 shtator) nis Censi i Popullsisë dhe Banesave. Mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave janë angazhuar për numërimin e të gjithë popullsisë dhe banesave dhe të dhënat do të mblidhen në 6 javë.

I gjithë procesi i Censit do të kryhet në mënyrë dixhitale përmes një tableti. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.
Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë. “Etniciteti, Gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur. Për ata qytetarë që nuk do t’u përgjigjen pyetjeve apo të japin përgjigje të rreme ka penalitete! Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli shpjegoi në Report Tv se penaliteti nis nga 50 mijë lekë gjobë.