Nersada Mandija, MSc në Sociologji
Të dashur mësues dhe prindër,
Ndërsa fëmijët tanë po bëhen gati t’i kthehen bankave të shkollës, le t’u mësojmë atyre që t’i kushtojnë vëmendje shokëve të tyre të klasës që janë të heshtur, të turpshëm, që kanë një aftësi ndryshe, që kanë ardhur rishtazi në klasë apo në qytet ose thjesht nuk janë rehat me idenë që shkolla po rifillon. Le t’i inkurajojmë fëmijët tanë që të ndihmojnë shokët e tyre që të ndjehen të përfshirë.
Një buzëqeshje, një prezantim, një ftesë për të punuar në çifte kur ua kërkon mësuesja, një ftesë për t’u ulur bashkë tek mensa apo tek stolat e oborrit…gjeste të vogla pra por që e ndikojnë aq shumë fëmijërinë.
Le t’i mësojmë fëmijëve tanë që t’i kushtojnë vëmendje fëmijës së turpshëm që shokët e thërrasin me emra e nofka të ndryshme (që asnjëri nuk janë tijët), që edhe këtë vit ka marrë të njëjtën çantë si vitin që shkoi, që ka ardhë i panxirë nga pushimet verore në pamundësi për të pushuar me familjen apo që merr bukën me vete e nuk blen tek dyqani shkollës apo ha tek mensa…
Të dashur mësues dhe prindër, le të modelojmë tek fëmijët tanë hir, empati dhe dhembshuri! Janë pikërisht ato që me energjinë e tyre do ta përhapin këtë mirësi dhe do ta bëjnë botën një vend më të mirë për të gjithë.
Çdo gjë nis nga fëmijëria!
#arsimigjithpërfshirës #gjithpërfshirja #prindërimi #vitishkollor2023