Shqipëria po përgatitet për ndeshjet kualifikuese të Euro 2024, ku me 7 shtator luan ndaj Çekisë, ndërsa jo më pak e rëndësishme është edhe ndeshja ndaj Polonisë me 10 shtator.
Ish-kapiteni kuqezi Rudi Vata, në një intervistë ekskluzive për News 24 dha mendimin e tij në prag të këtyre dy takimeve. Vata vlerësoi në maksimum sfidën ndaj Çekisë duke thënë se i pret të gjitha rezultatet, por theksoi se ekipi duhet të bëjë kujdes në këtë takim, për të mos humbur ndonjë futbollist të rëndësishëm për sfidën me Poloninë.
Kapiten, i gjithë ambienti kuqezi synon “Euro2024”, është ky një objektiv konkret, i mundshëm?
Janë ndeshje qe na mbajnë në lojë. Jemi një skuadër që po rritemi. Edhe skuadra polake nuk është më në nivelin e tyre maksimal. Na duhet të jemi të fokusuar, janë ndeshje që do vërtetojnë punën e skuadrës. Stafi i ri ka sjellë energji të re. Do të shikojmë forcën e karakterit të skuadrës. Na duhet të kemi besim, na duhet të luftojmë ën çdo metër të fushës.
Këto janë dy skuadra që mund të konkurrojnë ndaj nesh. Janë dy shtete të mëdha në futbollin botëror. Ne jemi një Kombëtare e re dhe po ndertohemi gradualisht. Kemi lojtarë që kanë ambicie për t’u bërë lojtarë të mëdhenj. Në grup kemi një frymë të mirë. Pothuajse të gjitha pozicionet janë të dubluara. Do të jetë një Kombëtare interesante për këto dy ndeshje.
Rudi, si të duket grupi i Silvinjos, si të duket në raport me ekipin e De Biasit dhe Edi Reja-s? A ka përmirësim?
Unë mendoj që është një energji tjetër, është një kohë tjetër nga ajo e De Biasit. Në raport me Kombëtaren e Reja-s, ky ekip është më kërkues dhe është më i përqendruar në fushën e lojës. Kumbulla dhe Broja janë mungesa shumë të rëndësishme. Fatmirësisht ekipi ka lojtarë të rëndësishëm për të zëvendësuar këta lojtarë.
Kemi emra të rinj si Mitaj, Muja, Daku, afroi Jasir Asanin, po i jep peshë dyshes Asllani-Bajrami, emra pa fund ketë periudhë Vata, a është ky momenti ideal për t’i marrë frytet?
Duhet të jetë ky momenti i duhur për të bërë mirë pasi këto janë ndeshjet kryesore. Sidomos, ndeshja e dytë me Poloninë, besoj se është tepër vendimtare. Më ngjan me një ndeshje shahu. Edhe Polonia ka pretendimet e veta. Të gjitha stafet e këtyre kombëtareve do të punojnë në një mënyrë të atillë, ku do synohet perfeksionizmi. Uroj që stafi të marrë shpërblimin pasi ka bërë një punë të mirë. Tifozët janë gati, duhet të punojmë shumë që në këto 180 minuta lojë të marrin më të mirën.
Rudi, në sytë tuaj, cila është pika e fortë e këtij ekipi dhe cila është pika e dobët?
Nuk mendoj që një Kombëtare si ne ka pika të dobëta dhe të forta. Mendoj se duhet të kemi një grup të konsoliduar. Pika e dobët ka të bëjë edhe me individualitetet, ku mund të ketë lojtarë që mund të duan të bëhen protagonistë. Skuadra ka nevojë të jetë e bashkuar.
Kemi sulmues pafund këtë periudhë, mendon realisht që Silvinjo do t’i luajë në sulm këto dy sfida?
Sylvinho i ka bërë mirë punët e shtëpisë. Lojtarët kanë nevojë për përvojë dhe kjo gjë i bën të kuptojnë sesi funskionon mentaliteti shqiptar. Mendoj se tekniku jonë ka punuar mirë, është treguar serioz dhe kompakt. Tani pritet shfaqja, presim ekipin në fushën e lojës. Mund të luajmë në sulm, por duhet të mbrohemi mirë. Ne nuk jemi skuadër që shënojmë shumë gola, ne jemi skuadër që duhet të përfitojmë nga gabimet e të tjerëve. Mendoj se faza sulmuese duhet të jetë e balancuar. Ne duhet të jemi të përqëndruar.
Çfarë ndeshje pret në Pragë, a mjafton të mos humbasim?
I pres të gjitha rezultatet. Ndaj Çekisë është një ndeshje e vështirë. Nuk mendoj se jemi më lart se çekët, por edhe këta të fundit e dijnë që jemi një ekip që mund të ndëshkojmë. Na duhet të jemi të kujdesshëm për të bërë një ndeshje të mirë, nuk duhet të humbasim lojtarë pasi na duhen për ndeshjen me Poloninë.
Në fillim, kur u hodh shorti dukej një grup i vështirë, por Çekia dhe mbi të gjitha Polonia nuk duken aq të frikshme, për mënyrën se si po shkon ky grup, do ishte zhgënjim nëse nuk kualifikohemi?
Për mua nuk do ishte zhgënjim. Stafi i ri ka sjellë energji të re. Kemi lojtarë të rinj, të cilët kanë nevojë të rriten. Mendoj që nuk do jetë një zhgënjim. Ka specialistë që mendojnë që do ishte zhgënjim. Po të shikosh kampionati kombëtar është i dobët dhe nuk prodhon.
Në fund një pyetje personale, çfarë mendon Roko për Shqipërinë, për ekipin përfaqësues, për ekipin ku babi i tij ka dhënë gjithçka?
Unë nuk ia kam mbyllur derën askujt për Roko-n. Nuk është se dikush ka trokitur në derën e Roko-s. Ai ishte në Shqipëri, ishte në Shkodër. Ai ka gjak shqiptar, por ka edhe gjak skocez dhe irlandez. Në jetë nuk thuhet kurrë që kjo është përfundimtare. Roko nuk është gati për ekip kombëtar. Me kohën, gjithçka mund të ndodhë, pasi jeta ndryshon. Një djalë i ri nuk mund të jetë i bindur në një situatë ku sapo ka arritur moshën e pjekurisë. Në aspektin profesional, njerëzit ulen, diskutojnë. Unë mendoj se ai është rritur me projekte, ka patur oferta nga ekipe të ndryshme. Klubi i Celtic ka refuzuar çdo ofertë, pasi e ka në planet e veta. Roko është i lirë për të marrë vendimet e veta. Me çfarë po shikoj, nuk ka interes, pasi po të kishte dikush do të kishte dalë edhe do të kishte thënë që kemi kontaktuar me klubin, prindin apo vetë lojtarin.
(BalkanWeb)