Bashkia e Vau-Dejësit është e rrethuar me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, të cilat po shfrytëzohen më së miri për turizëm malor, liqenor dhe kulturor.
Entela Kolaj, drejtore e Turizmit dhe Trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Vau-Dejësit, thotë për RTSH Shkodra se fluksi i turistëve këtë vit ka qenë shumë i lartë.
“Krahasuar me një vit më parë apo me vitete e tjera ka pasur një fluks të turizmit, por le të themi që Lumi i Shalës ka qenë në kulmet e veta. Nëpër bujtina, rezervimet janë të prenotuaara deri në muajin shtator,” shprehet Kolaj.
Lumi i Shalës mbetet një nga perlat turistike të veriut, që mban rekord turistësh, pa lënë mënjanë liqenin e Komanit dhe ishullin e Shurdhahut, por rruga e amortizuar është një sfidë më vetë.
Promovimi i zonave turistike dhe rivitalizimi i ofertës turistike është një prej nismave që ka ndërmarrë së fundmi bashkia e Vau-Dejësit me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projektit “Vau-Dejës si destinacion turistik” në partneritet me qendrën për promovimin e konkurrueshmërisë.
“Lumi i Shalës, liqeni i Komanit i Vaut të Dejës janë kthyer në brend kohët e fundit dhe nuk kanë nevojë për promovim. Ajo që është e nevojshme janë investimet,” thotë ajo.
Që nga peizazhet fantastike të liqenit e restorantet e shijshme anës tij, tek monumentet e shumta historike e kulturore, Vau-Dejësi ia del të jetë gjithnjë surprizues. Në liqenin e Vau-Dejësit mund të bësh një alternim të mirë, mes banjove në ujërat e embla dhe eksplorimit të natyrës.