E ndërtuar 4 shekuj më parë si pikë mbrojtje për fshatin Theth dhe e përdorur si vend për pajtimin e të paktën 300 konflikteve, kjo ndërtesë unike po jeton një jetë të dytë lavdie që nga koha e Lekë Dukagjinit falë edhe trashëgimtarit të saj Sokol Kocekut, i cili e ka kthyer në një atraksion turistik.
Ngjarjet e treguara prej gjyshit të tij, Zef Kocekut, i fundit prej familjes që ka jetuar sipas ligjeve të kanunit, Sokoli i përcjell për turistët.
Sokolin e karakterizon veshja popullore të zonës, qeleshe dhe jelek i kuq i qëndisur, veshje e përditshmërisë për paraardhësit e tij.
Melodia që ai luan është shumë e veçantë, ka tërhequr vëmendjen e shumë të huajve. Me anë të një gjethe frashëri ai arrin që të krijojë melodi të ndryshme të krahinës së Dukagjinit.
Në Theth, kanuni zbatohej me përpikmëri dhe kur një banor i zonës kryente një vrasje, ai strehohej brenda kullës për 15 ditë.
Djemtë e fshatit ndaheshin në grupe dhe e ruanin fajtorin që mos të arratisej nga kulla dhe i çonin për të ngrënë. Në këto 15 dite, pleqtë e fshatit, që kishin influencën e fjalës negocionin mes dy familjeve për t’u falur gjaku. Nëse arrihej gjuha e përbashkët, atëherë shtrihej dora e pajtimit.
Duke e pasur në pronësi “Kullën e Ngujimit”, Sokoli e ka kthyer atë në një biznes fitimprurës.