Kryeministri Edi Rama ka hapur pasditen e sotme Asamblenë e Partisë Socialiste, teksa kryefjalë ka qenë zhvillimi dhe progresi i Shqipërisë turistike.

Kryeministri Rama ka theksuar se tashmë Shqipëria ndodhet në hartën turistike europiane, ndryshe nga disa vite më parë kur krahasohej me vendet e dorës së tretë.

Nga ana tjetër Rama theksoi se siguria është një tjetër faktor që tashmë po josh edhe më shumë turistët e huaj drejt bukurive të vendit tonë.

Në fjalën e tij. Rama ka theksuar se vitin tjetër do të jetë një bum i madh turistik dhe një numër i pallogaritshëm turistësh, gjë që kërkon një rritje të kapaciteteve dhe shërbimeve të hotelerisë.

Rama shtoi gjithashtu se hoteleria duhet të jetë aq e përmbushur dhe e perfeksionuar sa të përmbush kriteret e reja dhe nevojat e konkurrëncës, duke u bërë kështu njësh me liderat e hotelerisë dhe turizmit në Europë por jo vetëm.

Rama ka deklaruar se duhet që të synojnë majat e industrisë turistike botërore. Po ashtu ai ka theksuar se akulli për investimet është thyer dhe se ligji aktual e ka mbyllur misionin e tij.

“Shqipëria duhet të bëhet sezbën vendi europian i denjë për bukuritë dhe pasuritë që i ka falur zoti dhe ne duhet të synojmë majat e industrisë turistike botërore. Investimet qindra milionëshe, por edhe miliardëshe në euro. Ja pse ne duhet të forcojmë ndërgjegjen e një vendimmarrjeje të guximshme. Ata që do të trashëgojnë këtë vend, do të trashëgojnë një Shqipëri të kamur. Ne duhet të rrisim menjëherë kërkesën ndaj investitorëve vendas. Kjo është një pikë kthese e re, ku ne duhet të kërkojmë më të mirën. Bëhen hotele me mermer brenda, por harrojnë të bëjnë edhe depodatorin e ujërave të zeza. Në mëngjes mjaltin e luleve të egra e shërben hoteli, ndërsa largimin e luleshtrydheve njerëzore duhet ta bëjë shteti. Statusi aktual i investitorit strategjik duhet të ndryshojë, kuadri ekzistues e ka kryer misionin e vetë, në një vend ku turizmi ishte bukë sufllaqe, shalqi me djathë, që e bënin vapën bashkë me mungesën e kudondodhur të ujit, më të papërballueshme. Tani akulli është thyer. Ky vend nuk është 200 mijë kilometra katrorë, por 10 herë më i vogël se kaq. Ndërtimet e reja të hotelerisë duhet të përmbushin kriteret e reja dhe me nevojat e konkurrencës.”- tha Rama.