Arbian Mazniku do të jetë ministri i ri për Shtetin dhe Pushtetin Vendor, një ministri e krijuar sot. Arbjan Mazniku ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës që nga shtatori i vitit 2015.
Më parë, ai ka qenë zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit për periudhën 2 vjeçare. Para se të merrte përsipër këto detyra, Arbjani ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Institutit AGENDA, një organizatë në Tiranë që merret me kërkime dhe analiza të politikave publike në Shqipëri, sidomos në fushën e qeverisjes, Integrimit Europian dhe zhvillimit ekonomik dhe social.
Në janar të vitit 2008 Mazniku ka punuar për MJAFT, lëvizja civile më e suksesshme, e cila nxiti reagimin dhe aktivizimin e të rinjve për çështje të ndryshme politike e sociale.
Nga vitet 2005-2007, Arbjan Mazniku ka qenë Drejtor për Politikat e brendshme në MJAFT dhe nga viti 2003-2005 ka qenë Drejtor Komunikimi në MJAFT.
Përpara aktivizimit në MJAFT, Arbjani ka drejtuar Shoqatën Ndërkombëtare të Debateve në Shqipëri për 3 vjet, duke kordinuar programet e debatit për Gjimnazet dhe Universitetet.
Arbjan Mazniku ka studiuar për Gazetari në Universitetin e Tiranës dhe zotëron një Master në Profilin Komunikim Politik nga Universiteti Sheffield në Britaninë e Madhe.