Prej vitesh në vendin tonë, shkollat profesionale kanë tërhequr interesin e të rinjve për të qenë pjesë e tyre.

Kjo po ndodh për një seri arsyesh, por më e rëndësishmja është integrimi i shpejtë në tregun e punës.

Shkolla e mesme “Hamdi Bushati” në Shkodër vazhdojnë regjistrimet, ndërsa drejtuesja e shkollës Merita Zeneli thotë se edhe për këtë vit ka interes të madh për të ndjekur arsimin profesional, në mënyrë të veçantë drejtimin hoteleri-turizëm.

“Këtë vit akademik kemi interesa të mëdha për regjistrime dhe besoj që me këto kërkesa ne jemi gati, gjithsesi,” thotë Zeneli.

Një nga risitë e vitit shkollor për vitin 2023–24 për këtë shkollë do të jetë mbështetja financiare për transportin e nxënësve që vijnë nga zona të largëta banimi.

“Mbi 5 km këtë vit do të subvencionohet edhe rruga, pra çdo nxënës i cili në fakt ka vendbanimin mbi 5 km do të ketë mundësi dhe lehtësi në ardhje,” shpjegon drejtuesja e shkollës.

Shkolla e mesme profesionale “Hamdi Bushati” ofron studime në tri drejtime kryesore: ekonomi-biznes, hoteleri-turizëm dhe tekstil-konfeksion.

Ajo dallon për infrastrukturën e mirë me klasat dhe laboratorët e saj me kushte bashkëkohore.