Sot nis shpërndarjen e librave falas për të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare. Këtë vit të ri shkollor, fëmijët e klasave të dyta dhe të treta do të marrin libra të rinj falas pa qenë nevoja që t’i kthejnë ato në fund të vitit shkollor.
Me anë të një mesazhi, kryeministri Edi Rama thotë se ky sistem është bërë një traditë mbështetëse e qeverisë për të pajisur nxënësit me burime cilësore të dijes.
“Mirëmëngjesi dhe me nisjen e shpërndarjes së teksteve FALAS për të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare – ku përveç klasave të para, edhe ato të dyta e të treta do t’i kenë librat falas me një përdorim – si dhe për nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë, një konkretizim tashmë tradicional i mbështetjes së qeverisë shqiptare për të pajisur nxënësit me burime cilësore të dijes, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.