Superliga shqiptare e futbollit nisi sot javën e dytë. Me fillim nga 16:00 në stadiumin e Rrogozhinës, Erzeni dhe Vllaznia barazuan 2-2 në një ndeshje të çmendur që prodhoi gjithçka në fushë. Nga VAR, te penalltia, kartonat e deri te përmbysja momentale e shijakasve. Në fund të dyja skuadrat ndanë nga një pikë, me Balaj që ishte hero te miqtë nga Shkodra me dopietë.
Përballja në ‘Arena Egnatia’ u zhbllokua pas vetëm shtatë minutave lojë. Ishte Balaj që nga jashtë zone kalibroi të djathtën dhe realizoi nga goditja e dënimit, për avantazhin e Vllaznisë. Erzeni do përgjigjej në minutën e 26-të me Mihanën. Sulmuesi shtangu Qarrin në portë me një gol për “kornizë”, po nga goditja e dënimit.
Pjesa e parë u mbyll 1-1, teksa në fraksionin e dytë ishte Erzeni që kaloi në avantazh me Agim Zekën në minutën e 60-të. Pas golit të pësuar, Vllaznia shtoi ritmin dhe goditi shtyllën dhe traun e portës. Duhej Balaj që nga penalltia e dhënë në të 90 minutë edhe pas ndërhyrjes së VAR, për të barazuar shifrat.
Më pas Vllaznia gjeti edhe golin e avantazhit me Gomez, ndërsa VAR e cilësoi në pozicion jashtë loje. Me rezultatin 2-2 u mbyll dueli, teksa Erzeni merr barazimin te dytë në po kaq javë kampionat. Nga ana tjetër, Vllaznia ndalet në transfertë pas fitores 3-1 në ndeshjen debutuese kundër Kukësit. Dueli në Rrogozhinë u gjykua nga kryesorja e FIFA-s, Emanuela Rusta dhe zgjati 103 minuta së bashku me shtesën.