Pas lehtësimit të procedurës së përfitimit të lejes së drejtimit të kategorisë D, pa kaluar në C, është rritur numri i aplikimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Sipas DPSHTRR-së, numërohen 3,974 leje drejtimi të lëshuara nga qershori i vitit 2022 deri në fund të muajit korrik të këtij viti.
Lehtësimi i kësaj procedure i ka kursyer qytetarëve mbi 312 milionë lekë përgjatë periudhës qershor 2022-korrik 2023, nga ku 34.5 milionë lekë nga tarifat e çdo regjistrimi (rreth 8 700 lekë kosto për çdo qytetar) 278 milionë lekë nga kostot e kursit (70 000 lekë kosto e kursit për çdo qytetar) dhe 11.922 vite kohë e kursyer nga lehtësimi i procedurës”, bën të ditur DPSHTRR.
Vetëm gjatë vitit 2023, DPSHTRR informoi se janë lëshuar 2 259 leje drejtimi të kategorisë D/D1.
Kategoria D1 është p[r automjetet e projektuara dhe konstruktuara për jo më shumë se 16 pasagjerë, përjashtuar drejtuesin e automjetit, dhe me gjatësi maksimale që nuk i kalon 8 m. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk i kalon 750 kg.
Kategoria D merret për automjete të projektuara dhe konstruktuara për transportin e më shumë se 8 pasagjerë, përjashtuar drejtuesin e automjetit. Mjeteve të kësaj kategorie mund t’u lidhet një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk i kalon 750 kg.