Kryetari i Partisë Demokratike të rithemeluar, Sali Berisha, ka kërkuar që sesionin e ri parlamentar të shndërrohet në një shesh beteje për të denoncuar “aferat” e qeverisë.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, përpara fillimit të sesionit të ri, Berisha tha se ka shumë skandale që e implikojnë drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, por edhe një pjesë të opozitës.

“Beteja është mes legjitimes dhe të paligjshmes. Parlamenti nis punimet me një aleancë të re. Aleanca Rama-Doshi-Brava është realitet i ri, por edhe kjo është aleancë krimi, e cila do të përfundojë së bashku me regjimin e krimit. E them këtë se pas zgjedhjeve vendore kjo aleancë është bërë evidente në shumë bashki dhe komuna të ndryshme.

Ne do të vendosim lidhje me të gjithë ata që do të qëndrojnë opozitë e vërtetë, natyrisht duke pasur vijë të prerë demarkacioni qëndrimin ndaj Ramës dhe aleatëve të tij, Doshi-Basha, Doshi-Brava ose Doshi-pengu, për ta thënë më mirë,” u shpreh Berisha.

Në lidhje me çështjen e sterilizimit, kreu i demokratëve i drejtoi akuzat ndaj SPAK-ut se nuk ka hetuar siç duhet këtë “aferë” disamiliardëshe.

“SKAP-i amnistoi Erion Veliajn me urdhër të Edi Ramës. SKAP-i amnistoi Ilir Beqajn, por rastisi një gjykatës, i cili konstatoi se ligji ishte shkelur në mënyrën më flagrante dhe urdhëroi të hetohet. Firma e tij është në të gjitha. SKAP-i nuk gjeti vepër penale te Erion Veliaj. Kanë realizuar projektin me kontratë false dhe nëse ju kujtohet edhe zjarrin në Ministrinë e Shëndetësisë,” tha Berisha.

Për kryeministrin, Berisha paralajmëroi se do të vijë një front i ri akuzash nga SHBA-ja, për shkak të çështjes “McGonigal”.”

“McGonigal e pranoi fajin për [Oleg] Deripaskën, thuhet se do pranojë fajin edhe për Shqipërinë, çka e implikon drejtpërdrejt Edi Ramën. McGonigal do të ketë gjyqin së shpejti, por do të bëjmë gjithçka që zëri ynë të dëgjohet në SHBA, sepse McGonigal me këta kryen megaskandale. U sulmua opozita, u manipuluan dosje, të gjitha në bashkëpunim McGonigal–Edi Rama,” u shpreh Berisha.

Ndërkohë, ai përsëriti akuzat e forta për partneritetin publik-privat mbi incineratorët në vend, duke shigjetuar kryebashkiakun Erion Veliaj si person të parë.

“E shikoni se çka ndodhur me djegësat. 200 milionë euro deri tani, Elbasani, Fieri, Tirana dhe djegësa nuk ka. Këto përpiqen t’i kalojnë. Dy afera shekulli: djegësat dhe incineratorët. Incineratori i Tiranës ka një emër: Erion Veliaj. Por Erion Veliajt nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë, përkundrazi dikton dhe orienton vendimet.

A mund ta imagjinoni që të akuzohet Arben Ahmetaj për djegësin e Tiranës kur e ka kundërshtuar katër herë me shkrim, edhe pse herën e pestë e firmosi. Akuza ndaj tij: se ka pasur një person në komision. Po Erion Veliaj, a nuk kishte dy persona në komision? Strategjinë për djegësat, strategjinë me koncesion për 30 vite, kishin firmën e Erion Veliajt,” deklaroi kryetari i PD-së.

/rtsh.al/