Kryetari i Bashkisë, z. Benet Beci, priti në një takim në zyrën e tij, Zëvendës Shefin e Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri, z. Philip Arnold.
Gjatë takimit është konfirmuar vazhdimësia e bashkëpunimit dhe e investimeve të Qeverisë Zvicerane dhe SECO në Bashkinë e Shkodrës.
Aktualisht nga pala zvicerane po investohet për projektin “Furnizimi me ujë dhe mbrojtja ambientale e Liqenit të Shkodrës”. Në vazhdimësi në bashkëfinancim edhe me institucione të tjera si KFV, EB, do të investohen edhe rreth 10 milion euro për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së ujësjellësit në një nga zonat periferike të qytetit (Lagjja “Mark Lula”), si dhe në fshatin Golem, Njësia Administrative Rrethina.
Një tjetër investim i pritshëm në Shkodër nga Qeveria Zvicerane është edhe Komponenti i ujërave të përdorura, rreth 9.5 milion euro, investim ky që mundëson ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të ujërave të zeza, për qytetin e Shkodrës.
Njëkohësisht nga të dy palët u vlerësua pozitivisht përfshirja e Bashkisë Shkodër në projektin për shfrytëzim inteligjent të energjisë (SEMP), ku përveç investimimit në ndriçimin rrugor po hartohet edhe “ Plani Lokal për Energji dhe Klimë”.