Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin pasuror për personat e arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza” me akuzat për vrasje, grup kriminal dhe korrupsion mes të cilëve edhe prokuror dhe ish zyrtarë policie. Burimet nga hetimi thanë se po verifikohen pronat në zotërim të biznesmenit Pëllumb Gjoka, ish-drejtuesit të Forcës Operacionale Oltion Bistri dhe ish-kryeprokurorit të Kukësit Xhevahir Lita.
Në sitë janë vënë prona të luajtshme dhe të paluajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj. Qëllimi i hetimeve ka të bëjë me zbulimin e origjinës së këtyre pasurive dhe nëse ato janë krijuat me të ardhura në ligjshme. Veprimet hetimore po ndiqen nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Arben Kraja të cilët kanë kërkuar informacione nga bankat dhe zyrat shtetërore për asetet që disponojnë të pandehurit, 6 të arrestuar dhe 9 në kërkim, mes të cilëve edhe Ervis Martinaj.
Një ditë më parë gjykata e Apelit të Posaçëm shtyu për më 31 gusht vendimin për 6 të arrestuarit në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’ të akuzuar për vrasje dhe korrupsion. Seanca zgjati mbi 3 orë dhe asnjë nga të arrestuarit, nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Avokatët e 6 të arrestuarve deklaruan se nuk mund të merren prova nga platforma ‘Encrochat’ pasi nuk e parashikon ligji. Dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Arben Kraja kërkuan që të gjithë të arrestuarit të qëndrojnë në masën arrest me burg.
Nga operacioni u shpallën në kërkim dhe 9 persona të tjerë mes te cilëve Behar Bajri dhe Ervis Martinaj. SPAK, finalizoi dhe lëshoi 15 urdhër arreste për këtë operacion, pasi zbërthimit të aplikacionit SKY.
Ndaj tyre rendojnë 12 vepra penale, nga ajo e vrasjes me paramendim, grup i strukturuar kriminal, korrupsion i zyrtarëve të lartë shtetërorë deri në shpërdorim detyre e pastrim parash. Hetimet nisën prej vitit 2019 pas informacioneve të përcjella nga autoritetet holandeze belge dhe ato franceze që kanë siguruar komunikime mes anëtarëve të grupit ne rrjetin enchro chat dhe sky