Kryeministri Edi Rama ka inspektuar spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, nga ku ka deklaruar se hetimi i SPAK-ut për abuzime nëpërmjet partneritetit publik-privat nuk e cenon suksesin e nismës së qeverisë për “rilindjen e shëndetësisë”.
Vizita e shefit të qeverisë u fokusua te sterilizimi i pajisjeve dhe dhomave kirurgjikale të spitalit, proces që po hetohet nga SPAK mbi dyshimet se është abuzuar me kontratën koncesionare.
Sipas Ramës, askush nuk do të mbetet pa u ndëshkuar nëse ka nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës.
“Në një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, që kanë garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve
Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët”, tha Rama.
Ministrja e Shëndetësisë, Oferta Manastirliu, shtoi se investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe në programin e integruar të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë, kanë rritur standardin në spitalet publike.
Në lidhje me koncesionin e sterilizimit, GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë për 8 të akuzuar, duke konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Rjepaj akuzohet për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”, ndërsa biznesmeni Rrapaj akuzohet për “Mashtrim”.