Vjedhja e parave publike gjatë implementimit të shërbimit në procesin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, është kryer jo vetëm mbi mënyrën e mbifaturimit, por dhe rimbursimit të faturave tatimore nga buxheti i shtetit.
Skema e ndërtuar nga biznesmeni, Ilir Rrapaj, pronari kryesor i kompanisë koncesionare “Sani Service”, ka sjellë një dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit, duke çuar përfitime të shumta financiare në llogaritë e personave që kanë hapur kompanitë tregtare të lidhura me ”Sani-Service”.
Në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë kompanitë “Game Service”, “Med Red”, “Globalsher”, Ilir Rrapaj, Umbro Staçini, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed”, “Ujet”, “Eumedica Senior”, “AlbaMed 2014”, “Geonad Systems”, “Steralb”, “Sitec”, “2T”, “Comfort”, “Tecnosanimed srl”, Servet Biçaku, “IT Solutions” e Rezarta Bibës, “Me-Sys” etj., të cilat kanë pasur një marrëdhënie tregtare me “Globalsher” dhe Sani Service.
Përmes skemës të hapjes së kompanive të dyta dhe të treta, duke i futur ato më pas në marrëdhënie tregtare me “Sani Service” në pronësi të Ilir Rrapaj, italianit Umbro Staçini e pronarëve të tjerë, ata kanë kryer mbifaturim të vetvetes tek kompania koncesionare “Sani Service”.
Vetëm në një rast, thotë SPAK 14 subjekte nënkontraktuale kanë faturuar për shërbime të ndryshme me 440 milion lekë të vjetra, kompaninë “Globalsher” të Ilir Rrapaj. E cila ishte futur si nënkontraktore në shërbimin e sterilizimit nga konçesionari “Sani Service” po në pronësi të Ilir Rrapaj.
Për të njëjtin shërbim që 14 kompanitë e tjera kanë faturuar 440 milion lekë “Globalsher”, kjo e fundit ka mbifaturuar koncensionarin “Sani service” me 6 miliard 967 milion lekë dhe 321 mijë euro.
Një balancë financiare kjo që tregon vjedhjen e kryer përmes skemës së kompanive të dyta dhe të treta.
Kjo vjedhja është kryer përmes faturave tatimore të mbifryra, duke sjellë dhe vjedhjen tjetër me skemën e rimbursimit të TVSH-së.