Gjykata e Posaçme e Apelit për më shumë se 3 orë shqyrtoi sot kërkesat e bëra nga të arrestuarit në dosjen “Metamorfoza” ku janë të hetuar bisnezmeni Pëllumb Gjoka, Drejtori i Forcave Operacionale Oltion Bistri, ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita dhe të tjerë, të cilët kanë kërkuar lirinë në Apel.
Seanca që nisi në orën 10:00, dhe që u karakterizua nga debate të forta mes palëve në sallë, u vendos të shtyhet për më 31 gusht.
Bëhet fjalë për një seri të gjatë përgjimesh të realizuara nga autoritetet franceze, ku janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, kryesisht të ndodhura në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, ku 3 protagonistët në fjalë rezultojnë në hetime si bashkëpunëtorë të disa prej emrave të njohur të botës së krimit shqiptar.
Në një deklaratë jashtë ambienteve të GJKKO-së, avokati i Pëllumb Gjokës, Ylli Manjani është shprehur se nuk duhet të zhvillohen gjyqe të mbyllura.
Po ashtu, Manjani tha se për të lidhur një person me një ngjare, duhet të ketë prova konkrete dhe jo vetëm hamëndësime.
“SPAK ka të njëjtin qëndrim që ka prokurorët e vendeve të tjera. Jemi në sintoni të plotë. Në sallën e gjyqit nuk ka sekrete dhe nuk ka dosje hetimore. Nuk ka gjyqe të mbyllura vetëm Shqipëria i bën këto pisllëqe. Mediat të jenë në sallë”. U shpreh Manjani.