Ndërsa shumë shqiptarë kanë tashmë shtëpinë e dytë në bregdet, apo edhe të tretë në periferi apo në zona qendrore të Kryeqytetit, Qeveria quan më se të drejtë taksimin e këtyre pasurive në mënyrë të diferencuar nga qytetarët që përmbushin vetëm nevojat për strehim. Projektligji që parashikon taksimin e diferencuar për qytetarët të cilët zotërojnë më shumë se një shtëpi tashmë është në fazën e konsultimit publik dhe do të hyjë në fuqi duke nisur nga viti 2026, por cilat janë specifikisht argumentet e Qeverisë për rishikimin e taksës së luksit për apartamentet.
Scan Televizion ka zbardhur 5 argumentet që përdor Qeveria për taksimin e diferencuar të më të pasurve.
Së pari, argumenton Qeveria, taksa e pasurisë e bazuar në vlerën e tregut është një taksë e drejtë. Regjimi tatimor që zbatohet aktualisht në Shqipëri i vendos në shumë raste të njëjtën barrë tatimore, si një personi që ka pasuri të paluajtshme në qendër të qytetit, ashtu dhe një personi që ka pasuri të paluajtshme me të njëjtat karakteristika por në periferi të qytetit, me vlerë tregu më të ulët. Një sistem taksimi i bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, ofron më shumë drejtësi dhe mundëson një diferencim më të mirë të barrës tatimore për pasuri të paluajtshme me vlera të ndryshme tregu, duke bërë qe barra tatimore të bjerë kryesisht mbi ata që kanë të ardhura të mira, apo aftësinë për të paguar, meqenëse pasuria e paluajtshme është shpesh depozita parësore e pasurisë së taksapaguesve. Kjo lejon që taksa e pasurisë të funksionojë si një formë taksimi mbi përfitimet (shërbimet dhe investimet lokale), duke shpërndarë barrën tatimore midis pasurive të paluajtshme me përfitime te ndryshme siç pasqyrohet edhe në vlerat e ndryshme që ato kanë.
Së dyti, taksa e pasurisë e bazuar në vlerën e tregut ka potencial të fortë për rritjen e të ardhurave. Baza tatimore e një takse të bazuar në vlerën e tregut, identifikon vlerën e shtuar të pasurive të paluajtshme nga investimet kapitale, shërbimet apo programet e financuara nga bashkia dhe qeveria, që nuk identifikohen apo merren parasysh nga tarifa, taksa apo tatime të tjera që aplikohen sot. Në këtë kuadër, është themelore që rritja konstante e vlerës së tregut të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në zonat që po zhvillohen apo urbanizohen me shpejtësi, të identifikohet saktësisht dhe eventualisht të taksohet, për të siguruar financim për infrastrukturën dhe për shërbime shumë të nevojshme urbane. Kjo është e mundur vetëm përmes implementimit të një takse pasurie të bazuar në vlerën e tregut të pasurisë së paluajtshme. Nga ana tjetër, rritja e drejtësisë së sistemit për shkak të taksimit të pasurive të paluajtshme duke u bazuar në vlerën e tyre të tregut, pritet të ndikojë në rritjen e nivelit të pranueshmërisë vullnetare nga ana e taksapaguesve, e për rrjedhojë të të ardhurave nga kjo taksë.
Së treti, sipas Qeverisë, taksa e pasurisë e bazuar në vlerën e tregut stimulon shfrytëzimin produktiv të pasurive të paluajtshme. Duke qenë se taksa e pasurisë llogaritet duke u bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, pra duke marrë në konsideratë përdorimin alternativ më të mirë të pasurisë së paluajtshme, ajo do të ofrojë një nxitje të fortë për të shfrytëzuar pronat në mënyrë produktive (psh. tokat dhe ndërtesat e pashfrytëzuara). Në këtë kuadër ajo mund të de-motivojë gjithashtu fryrjen e pajustifikuar të çmimeve të pasurive të paluajtshme. Taksa e re pasurisë do të përbejë një kosto domethënëse për pronarët dhe mund ta bëj spekulimin me çmimet më të rrallë.
Së katëri, taksa e pasurisë është e vështirë që të shmanget dhe siguron një burim të vazhdueshëm financimi për pushtetin vendor. Për shkak të paluajtshmërisë së bazës së saj, thekson Qeveria, taksa e pasurisë është e vështirë që të shmanget, dhe të ardhurat prej saj janë përgjithësisht të parashikueshme dhe të qëndrueshme.
Dhe së pesti, taksa e pasurisë, sipas Qeverisë, inkurajon shërbime/investime të përgjegjshme për qytetaret dhe është instrumenti tatimor më pak deformues. Taksa e pasurisë është e dukshme dhe politikisht e ndjeshme. Për këtë arsye, vendimmarrësit vendorë kanë një shtysë të fortë për të siguruar shërbime dhe investime publike për qytetarët, duke menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme dhe efiçente të ardhurat që i financojnë ato. Së fundmi, taksa e pasurisë nuk ndikon zakonisht në vendimet e aktorëve ekonomikë dhe konsiderohet instrumenti tatimor më pak deformues në raport me taksa apo tatime të tjera.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.