Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto të sistemit të ri dixhital të Kadastrës si shenjë e fluksit të punës që hedh poshtë akuzat se ky sistem nuk funksionon.

Sipas tij, po vazhdon puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, por pranon se ka ende problemet e veta.

REAGIMI I RAMËS:

Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës…

Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për rryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sekëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit.

Ndërkohë që po, e vërtetë, s’funksionon më sistemi i vjetër, zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon papushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem ARMIQËSOR ME KORRUPSIONIN dhe MIQËSOR ME QYTETARIN