Shkodra ka qenë përherë e lidhur me fotografinë dhe disa nga familjet e njohura të qytetit kanë lënë gjurmët e veta në këtë fushë.

Një prej tyre është Nikolin Jakova, që pasionin për fotografinë e ka të trashëguar nga babai i tij, fotografi i njohur Dedë Jakova.

“Baba ka punuar nga viti 1930 deri në vitin 1973. Mandej në vitin 1974 e kam filluar unë këtë zanat, të cilin e vazhdoj edhe sot. Prej disa vitesh e ushtron edhe djali im,” thotë fotografi Jakova.

Përmes fotografisë ka dokumentuar çaste të ndryshme nga përditshmëria.

“Dallimi është i madh, por nuk mund të ulim poshtë teknologjinë analoge, që të jep sodisfaksion në punë, sepse e fillon nga zeroja deri sa e than, e pret, fotografinë,” shton Nikolini.

Përgjatë viteve të punës ai ka shkrepur fotografi me aparate të ndryshme, duke nisur nga ato gjermano-lindore dhe kineze e deri tek ata modernë.

Për rrjedhojë, Jakova ka qenë dëshmitar edhe i zhvillimit teknologjik që ka pësuar kjo fushë.

“Kam fotografuar për dokumentim qysh nga koha e komunizmit, demokracisë, mitingjet, koncertet, gëzimet familjare e shumë të tjera,” shprehet fotografi Jakova.

Përtej ndryshimeve të vazhdueshme që pëson kjo fushë dhe rivalitetit që krijojnë telefonat inteligjentë, Nikolin Jakova vazhdon ta ruajë fort traditën e bukur të fotografisë në Shkodër dhe t’ia përcjellë atë edhe brezave më të rinj.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/