Megjithëse kjo javë ka nisur me mot të kthjellët dhe temperatura të larta, duke filluar nga dita e martë deri të premten do të kemi kushte të pa qëndrueshme atmosferike. Meteorologia Lajda Porja thekson se më problematike do të jetë e marta, ku priten rrebeshe shiu, breshër dhe stuhi të forta ere.

Meteorologia shprehet se të mërkurën dhe të enjten do të ketë reshje më të pakta, të cilat do të jenë të fokusuara kryesisht në zonat malore. Edhe dita e premte parashikohet që të jetë me kthjellime dhe vranësira të shpeshta përgjatë vijës bregdetare, zonave malore dhe të ulëta.

“Sa i përket situatës termike, duke përjashtuar ditën e sotme ku termometri ngjitet në 35 gradë, do të ketë rënie nga dita në ditë. Kjo do të bëjë që termometri në territorin shqiptar do të ngjitet deri në 30 apo 31 gradë celcius. Ndërkohë vendet e rajonit, pas një fundjave të kthjellët dhe shumë të nxehtë, parashikohet që të jenë nën ndikimin e motit e paqëndrueshëm, duke filluar që sonte në mesnatë ku priten reshje dhe rrebeshe shiu, më të dukshme në Kosovë. Deri të premten do të ketë vranësira dhe rrebeshe afatshkurtra shiu.”, theksoi meteorologia Lajda Porja./abcnews.al