Shqipëria ka përjetuar një bum turistësh këtë sezon, që konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave.

Sipas INSTAT, nga janari deri në korrik, në vendin tonë kanë hyrë 5.167.656 shtetas të huaj. Kjo shifër tregon një rritje me 30,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Vetëm në muajin korrik, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.770.724, rritur me 26,2 %, krahasuar me korrik 2022.

Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me vitin e kaluar, muaji korrik 2023 ka shënuar një rritje të konsiderueshme edhe sa i përket numrit të shtetasve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri për qëllime biznesi. Në krahasim me vitin e kaluar, ky numër është 63,3 % më i lartë.

Po ashtu, janë rritur me 26,0 % për hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime personale dhe me 22,8 % për qëllime pushimesh apo vizitë tek të afërm.

/rtsh.al/