Velipoja nuk është vetëm diell e det, pasi jeta e natës në plazhin më të madh në veri të vendit krijon një atmosferë të bukur.
Pushuesit nga Shkodra, qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj. thonë se po i kalojnë mjaft bukur këto net verore.
“Do shëtisim, të shikojmë ambientin si është. për momentin është shumë bukur. Nata është më e bukur këtu, sepse njerëzit kalojnë shumë mirë mes vedi. Pritja është e mirë dhe pastërtia është në nivelin e duhur,” shprehet një pushues.
“Jeta e natës më pëlqen, plazhi, të tëra. Nga 9 apo 10, do i vija notën 8,” thotë një pushuese.
Muzika tradicionale shkodrane nuk mungon as në baret dhe restorantet e Velipojës.
“Velipoja gjithmonë ofron mundësi, secili mundet me gjetë veten. Them se ka qenë një sezon shumë i mbarë, sidomos për muzikën live,” thotë këngëtarja Orjeta Kelaj.
“Kemi filluar shumë shpejt me jetën e natës, në ditët e para të korrikut. Thuajse çdo natë ka qenë shumë e këndshme,” shton instrumentisti Ilir Zoga.
Qindra mijëra pushues zgjedhin çdo vit Velipojën, duke e kthyer atë në një nga destinacionet e preferuara të vendit.