19 gushti shënon Ditën Botërore të Fotografisë dhe Shkodra është e lidhur thellësisht me të. Familja Nenshati është njëra prej dinastive të këtij qyteti ndërsa Angjelin Nenshati njëri nga baballarët e fotografisë në Shkodër përkrah emrave të shquar si: Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta etj. Gjatë një interviste të vitit 2006 të realizuar nga gazetari Adrian Hoti për BBC në Shqip, Angjelin Nenshati kujton fillimin e tij me fotografinë.
Sot janë djemtë e tij që e trashëgojnë artin e fotografisë: Leoni, Aleksi dhe Emiljani.
Pasuria arkivore në fotografi e familjes Nenshati është e madhe e si e tillë barra e përgjegjësisë për ta ruajtur atë nuk është aspak e lehtë, madje ruajtja me fanatizëm është një domosdoshmëri.
Në epokën digjitale edhe fotografia ka pësuar ndryshimet e veta por pozitiv është fakti që vërehet një tendencë e rikthimit të dëshirës për ta patur fotografinë në versionin print dhe jo thjesht digjital.
Sot në Ditën Botërore të Fotografisë në Shkodër, qytetin që i dha jetë këtij arti në vendin tonë, asnjë nga institucionet nuk u kujtua të organizonte diçka sado të thjeshtë që do ta përkujtonte këtë ditë kuptimplotë për qytetin.
©️ Marjo Gjini