Në Shkodër krahas bukurive natyrore të huajt kanë mundësi të njihen edhe me historinë e qytetit nga vizita në sitet arkeologjike dhe muzetë. “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës” është një një nga muzetë që ka ngjallur interesin e vizitorëve të shumtë.
“Jemi nga Greqia, është hera e parë që jemi në Shkodër. Dje pashë se ka një muze që tregon për komunizmin dhe vendosëm ta vizitonim. Është shumë interesant, madje me këto fotografitë këtu më duket si Aushvic, ose diçka e ngjashme. Por më intereson të shoh dhe të mësoj se si është vepruar gjatë asaj periudhe”.
E kaluara grish edhe italianët, vizitorë në qytetin e Shkodrës.
“Nuk mund ta quaj intriguese njohjen me këtë pjesë të historisë. Por më pëlqen që të mësoj më shumë rreth periudhës komuniste në Shqipëri. Ne kemi pasur informacion pasi edhe para se të vinim kemi lexuar për Shqipërinë dhe historinë e saj”.
Përgjegjësi Pjerin Mirdita thotë se këtë vit numri i vizitorëve është rritur. Ai thotë se gjithë çfarë është ekspozuar në muze lidhur me diktaturën shpesh i lë të shtangur te huajt.
Muzeu “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës” është hapur në vitin 2012 i ngritur në ish burgun e ish- degës së brendshme të Shkodrës ku janë mbajtur të burgosur dhe janë torturuar gjatë hetuesisë të burgosurit politikë./abcnews.al