Janë shfaqur të qetë, madje në disa momente dhe me një buzëqeshje në fytyrë ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj sot në Gjykatën e Posaçme ku u bë verifikimi i kushteve të masës së sigurisë.
GJKKO vendosi të lërë të pandryshuar masën e sigurisë, duke bërë që Rjepaj dhe Rrapaj të qëndrojnë në arrest me burg. Në fuqi u lanë dhe masat e sigurisë për gjashtë personave të tjerë, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të komisionit të prokurorimit publik në shkurt të 2013 kur u hap gara për koncesionin prej 100 milionë eurosh.
GJKKO la në fuqi masën “arrest shtëpie” për Saimir Kadiun drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë. Mjeku Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë u la nga gjykata në masën detyrim paraqitjeje. E njëjta masë është vendosur edhe për të pandehurit Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky i fundit, pas seancës gjyqësore tha se ata mburren me atë koncesion.
‘Ne mburremi që kemi futur sterilizimin’- tha shkurt Petro Mersini.
Zakonisht kjo seancë drejtohet nga gjyqtari Erion Bani, i cili më 23 qershor firmosi dhe masat e sigurisë për ish zv/ ministrin, biznesmenin dhe 6 zyrtarët e tjerë të ministrisë së Shëndetësië në hetim për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro. Por për shkak se ky gjyqtar është me pushimet e verës, çështja u gjykua nga gjyqtarja e gatshme Etleva Deda. Avokatët e 7 zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe biznesmenit kërkuan masë më të lehtë sigurie.
Rjepaj dhe Rrapaj u arrestuan me urdhër të SPAK në kuadër të hetimit për dosjen e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milion euro.
Veprat penale të shënuara në dosje nga SPAK, janë falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre për zyrtarët, dhe mashtrim për biznesmenin Rrapaj. Prokurori mësohet se i ka dërguar kërkesat për masa në gjykatë në muajin qershor, por zbatimi i tyre është bërë vetëm pas lokalizimit të biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili është ndaluar në Dhërmi ku ndodhej me pushime. Pronari i kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapaj, sipas burimeve të hetimit kishte refuzuar të paraqitej për të dëshmuar në SPAK.
Politikani Klodjan Rrjepaj tashmë i arrestuar për këtë çështje në vitet 2009-2012 ka qenë Drejtor Kabineti në Ministrinë së Shëndetësisë në kohën e drejtimit të saj nga Petrit Vasili. Më pas, Rrjepaj u emërua Zv.ministër si përfaqësues i LSI.
Pronari i kompaninë me seli në Prishtinë, “Investital LLC”, Ilir Rrapaj, zotëron 40 për qind të aksioneve të subjektit “SaniService” i cili në vitin 2015, fitoi koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar. Pjesa tjetër e aksioneve të kompanisë “SaniService” zotërohet nga tri subjekte, përkatësisht, SERVIZI ITALIA S.P.A, 30%, Tecnosanimed 15% dhe U.JET 15%. Mediat kanë raportuar se Rrapaj, ishte emigrant në Itali por u kthye në Tiranë dhe fitoi kontratën koncesionare 100 milionë dollarë.
Masat e sigurisë
Klodjan Rjepaj- ‘arrest me burg’ i akuzuar për ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Ilir Rrapaj- ‘arrest me burg’ i akuzuar për ‘Mashtrim’
Saimir Kadiu- ‘arrest shtëpie’ i akuzuar për ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Marsela Serjana- arrest shtëpie, e akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Arben Gjata- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Naile Ajazi- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Genc Byrazeri- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Petri Mersini- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’