Dy muaj nga betimi si kryebashkiak i Shkodrës, Benet Beci ende nuk ka përfunduar “formacionin” e tij në emërimin e drejtuesve të rinj të bashkisë Shkodër duke ndryshuar vetëm disa pozicione, ku nga dorëheqjet e ku nga shkarkimet që janë kryer gjatë këtyre dy muajve të parë.
Por në dukje, duket se ai ka lënë menjanë politikën duke i besuar kryesisht emrave të rinj, në funksionimin e pushtetit vendorë.
Emërimi i parë ka qënë ai i Zv/Kryetarit, Rudin Beka. Një i ri nga bota akademike, profesionist në fushën e turizmit dhe të biznesit, që lë pas angazhimin e tij duke u pozicionuar si një nga personat më të besuar të kryebashkiakut Beci.
Ndërkohë që edhe emri i Onid Bejlerit, nuk lidhet me politikën.
Ai ka një eksperiencë në fushën e menaxhimit të pronave duke punuar si ekspert pranë drejtorisë së përgjithshme të hipotekës në Tiranë si dhe drejtues i Agjensisë së Kadastrës për disa muaj në Shkodër, ndërkohë, që nga kjo e hënë ai është emëruar në postin e N/Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës.
Ndërkohë që nga emrat e rinj në pozicionet drejtuese të bashkisë Shkodër është edhe ai i Amila Gjyrezit, ish drejtuese e Muzeut të Shkodrës, prej disa ditësh është emëruar Drejtore e Kulturës në Bashkinë Shkodër.
Edhe ky emër, nuk vjen nga radhët e politikës, por nga brënda institucionit të bashkisë Shkodër ku prej disa vitesh ajo ka qënë në krye të nje institucioni të rëndësishëm për kulturën dhe turizmin sic është Muzeu i Shkodrës!
Ngelet për tu parë nëse do të jetë ky modeli që do të vijojë Benet Beci, duke i besuar profesionistëve dhe brezit të ri të Shkodrës!