Ministri i Brendshëm, Taulant Balla garantoi sot se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për monitorimin e zonave turistike nga toka, deti dhe ajri.
“Siguria e pushuesve është prioriteti kryesor për mbarëvajtjen e sezonit turistik”, u shpreh Balla.
Risi këtë vit në organizimin e Policisë së Shtetit është krijimi i Njësisë Policore Detare, një strukturë e re sezonale për të siguruar pushuesit në zonat bregdetare.
Ajo synon rritjen e sigurisë për pushuesit vendas dhe të huaj në zonat bregdetare, si edhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme dhe të sigurta të pushuesve në hapësirën ujore për notim dhe argëtim.
Njësia i shërben edhe monitorimit të të gjitha mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, që përdorin hapësirën ujore shqiptare gjatë sezonit turistik veror.
Ajo përbëhet nga 104 punonjës policie të përzgjedhur nga Policia Kufitare dhe Migracionit dhe Policia e Rendit, e trajnuar dhe e certifikuar nga specialistë të Rojës Bregdetare Shqiptare në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit dhe Migracionit.