Ndërtimi i një blloku banesash sociale është një prej projekteve të afërta që do të realizohet në Shkodër nga Enti Kombëtar i Banesave në bashkëpunim me Bashkinë, e cila ka vënë në dispozicion hapësirën për ndërtimet.
Për të diskutuar mbi detajet e këtij projekti Kryebashkiaku Benet Beci priti në bashki Drejtorin e Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, z.Stefan Cipa, i shoqëruar nga Drejtorja e Drejtorisë Rajonale të Entit të Banesave nē Shkodër, Eva Luli. Më pas inspektuan në terren hapësirën e ofruar nga Bashkia, në një zonë në afërsi të ish Fermentimit, ku do të ngrihet blloku i ndërtesave sociale që do të shërbejnë për strehimin e familjeve në nevojë, si dhe për shërbimet komunitare.