Pas 7 vitesh denoncime nga PD për koncesionin korruptiv të sterilizimit, SPAK më në fund ka një rezultat konkret. Disa të arrestuar të rëndësishëm, por jo kokat e vendimarrjes dhe abuzimit me këtë koncesion. Nuk ka ndonjë sekret publik se Edi Rama po bën gjithçka për të ruajtur ministrat e tij të shëndetësisë nga prangat e drejtësisë dhe deri tani ia ka dalë.
Ndër vite, siç tregon dhe video më poshtë (e vitit 2019), kam treguar me dokumenta zyrtare masakrën financiare të koncesionit të sterilizimit dhe qëndrimet antihumane thellësisht korruptive të qeverisë. Në vend që të kërkonte ndërprerjen e koncesionit si kundërproduktiv, tmerrësisht të shtrenjtë, abuziv dhe të papërballueshëm nga buxheti, Ministrja Manastirliu kërkonte ndërprejen e operacioneve për qytetarët. Dhe çfarë ka bërë drejtësia për këtë? Asgjë! ????
Çdo vonesë e SPAK-ut për të bërë drejtësi të plotë, të pavarur nga qeveria kushton shumë, jo vetëm për sistemin e shëndetësisë, shëndetin e xhepat e qytetarëve por edhe tek besueshmëria e institucionit. Megjithëse koncesionari është paguar rreth 80 milionë euro, koncesioni korruptiv duhet ndërprerë menjëherë dhe për qytetarët duhet gjetur një zgjidhje që u shërben atyre, jo xhepit të Edi Ramës me shokë.