Policia e Shkodrës është vënë në ndjekje të një 29-vjeçari, i cili akuzohet për vjedhjen e një automjeti 2 ditë më parë në Velipojë.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet P.K. Ky i fundit e kishte braktisur mjetin e vjedhur në fshatin Hajmel të Vaut të Dejës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin P. K., 29 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se më datë 13.08.2023, në fshatin Pulaj, Velipojë, ka vjedhur automjetin e shtetasit Xh. H. Automjeti është gjetur i braktisur në fshatin Hajmel, Vau i Dejës. Vijon puna për kapjen e shtetasit P. K. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.