Syri i Sheganit vetëm 40 minuta larg nga Shkodra, një destinacion që ia vlen të promovohet e zhvillohet, për një përjetim ndryshe, pasi ofron një pamje të mahnitshme.
Ky burim gjendet në afërsi të fshatit Kosan të Bajzës, në pjesën e Malësisë së Madhe. Fatkeqësisht mungesa e investimeve e ka lënë nën hije këtë pasuri natyrore me pamje mahnitëse.
Bashkia e Malësisë së Madhe ka gati projektin për rivitalizimin e bregut të liqenit dhe ndërtimin e rrugës që të çon tek Syri i Sheganit, projekt të cilin e ka paraqitur tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Historiani Gjok Luli tregon “se interesi për Syrin e Sheganit është rritur ndjeshëm”, ku sipas tij dikur “banorët e shfrytëzonin këtë vend për të peshkuar”.
Syri i Sheganit është një nga monumentet natyrore i kategorisë së tretë që ka marrë vëmendjen e shumë qytetarëve por edhe turistëve gjatë tre viteve të fundit.
Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit. “Syri i Sheganit” del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë në afërsi të liqenit të Shkodrës.
Përgjatë vijës së liqenit të Shkodrës në pjesën e Malësisë së Madhe kanë nisur të ndërtohen edhe ferma agroturistike.
Kjo mund të bëjë që në një të ardhme jo shumë të largët, emigrantët që janë larguar të rikthehen në vendin e tyre dhe të investojnë në agro-turizëm në këtë zone sepse duket se interesi është në rritje.