Fshati Prekal në Postribë është një nga zonat turistike të Shkodrës, i cili po vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj gjatë këtij sezoni veror, por banorët e fshatit po vuajnë prej shumë kohësh mungesën e shërbimeve dhe investimeve
Shqetësim për ta është mungesa e qendrës shëndetësore dhe aksi rrugor që i lidh me Dukagjinin.
Banorët pohojnë se premtimet gjatë fushatave elektorale kanë qenë të shumta, por deri më tani asnjë institucion nuk ka marrë iniciativa konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve.
“Çdo lloj deputeti vjen vetëm për të marrë votat dhe asnjë send s’bëjnë. Vetëm gënjeshtra,” thotë një banor i zonës.
Rruga që të çon drejt Dukagjinit është pa asfalt në një terren të thepisur malor çka jo vetëm vështirëson lëvizjen, por rrezikon edhe jetën e banorëve.
Kryesorja për ta është ura.
Para disa muajve me dhjetëra banorë protestuan para Bashkisë dhe Prefekturës së Shkodrës për të kërkuar asfaltimin e rrugës që lidh Shkodrën me njësitë vendore Pult, Shosh dhe Shalë.