Skandali i incineratorëve e ka lënë Shqipërinë me një qeveri të diskretituar si të korruptuar apo të paaftë për të dalluar korrupsionin në shkallë të gjerë. Ky është vetëm maja e problemit. Ndërsa qeveria është jokredibël, aftësia e saj për të bindur qytetarët mbi nevojën e mbrojtjes së mjedisit është bjerrur, ndërsa vendi është kthyer në një gropë të madhe mbeturinash.
Skandali i incineratorëve u ka kushtuar shqiptarëve deri më sot më shumë se 150 milionë euro, por ky nuk është problemi i vetëm. Tani që skema e qeverisë për plehrat ka dështuar, vendi ka mbetur pa një strategji të arsyeshme të menaxhimit të integruar të mbetjeve, në një kohë që ka nevojë të domosdoshme për të mbrojtur mjedisin, jo vetëm si diçka e mirë për jetesë të shëndetshme për veten tonë, por edhe si diçka e domosdoshme për të pasur biznes më të mirë në sektorin e turizmit.
E para është problemi i dukshëm: plehra gjithkund. Anët e autostradave po kthehen gjithnjë e më shumë në vend hedhjesh mbeturinash, një lloj epidemie papërgjegjshmërie e qytetarëve, por që duket se është edhe pasojë e deligjitimit të përgjithshëm të qeverisë. Ndërsa ministrja e Turizmit shfaqi një video ku një makinë, një polic dhe një kosh plehrash u gjetën brenda kuadrit të një kamere, fakti është që në një vend ku qytetarëve u kanë fluturuar rreth 100 milionë euro vetëm nga koncesioni i fushës së plehrave të Tiranës, asnjë politikan në pushtet nuk ka kredibilitetin që t’u bëjë moral qytetarëve. Natyrisht që, ndërsa moralizimet me polic nuk janë automatikisht keq, një gjë më praktike vlen për t’u bërë: kujdesi që plehrat e hedhura sakaq përgjatë rrugëve kombëtare të hiqen, në mënyrë që kalimtarëve të mos u mësohet syri dhe të mos u bëhet normalitet hedhja e mbeturinave nga makina. Kjo natyrisht që kërkon më shumë se sa një kamera që xhiron një film.
Problemi i dytë është sistemik: një pjesë e madhe e vendit nuk ka sistem të grumbullimit, e aq më pak, të grumbullimit të diferencuar dhe nuk ka as landfille të mjaftueshme, nuk ka pika seleksionimi paraprak pranë qyteteve të mëdha, ndërsa sistemi korruptiv i incineratorëve ka krijuar tarifa të shtrenjta depozitimi për shumë bashki të vogla e të varfra. Me pak fjalë, problemi i dytë ka të bëjë me qeverisjen, ose me korrupsionin qeveritar në menaxhimin e mbetjeve. Për pesë vite me radhë, çdo gjë në sektorin e mbetjeve është bërë për t’i shërbyer monopolit të biznesmenëve tashmë në arrati, dhe klientelës së tyre mes politikanëve. Fakti është që aventura korruptive me incineratorë e ka çuar problemin e menaxhimit të mbetjeve pesë vjet prapa dhe jo pesë vjet para.
Një tjetër anë e dukshme e dështimit të qeverisë në themel, është ngjarja e Divjakës, ku një grup qytetarësh protestuan ndaj kryetarit të Bashkisë, Josif Gorrea, një socialist, që të mos i derdhte plehrat kuturu. (Përgjigjja e kryebashkiakut: “Ju jeni kurva,” vlen për t’u mbajtur shënim krahas rrahjes me shkop bejsbolli të qytetarëve nga fisi Rraja dhe urdhrit të mbrojtjes që gjykata dha për familjen Kaçi nga gardisti si një nivel i ri i marrëdhënives së votuesve me të votuarit). Sipas Gorreas, problemi është që incineratori i Fierit “nuk ka punuar disa ditë”. Derdhja e plehrave jashtë vendeve të përcaktuara të depozitimit natyrisht që përbën një shkelje dhe normalisht, qeveria do të duhej të kishte gjobitur Gorrean për këtë shkelje, ndërsa prokuroria normalisht do të duhej të kishte nisur hetime për veprën penale të ndotjes. Por nëse marrim parasysh se kjo derdhje plehrash kuturu vjen në bashkinë Divjakë, e cila është pjesë e qarkut Fier, qark për të cilin taksapaguesit kanë shpenzuar 30 milionë euro për të ashtuquajturin incinerator, atëherë Gorrea ka me të vërtetë shumë të drejtë që t’i quajë votuesit “kurva”.
Tani normalisht që qeveria duhet t’i japë përgjigje disa pyetjeve kyçe, të cilat nënkuptojnë edhe pranimin e dështimit të skemës piramidale të koncesioneve të mbetjeve. Në Vlorë, fusha e mbetjeve merr flakë dhe projekti i landfillit ka ngecur. Në qarkun Fier, projekti i incineratorit ka dështuar dhe zona ka nevojë për një zgjidhje të re, në formën e impjanteve të riciklimit dhe të groposjes. Në Elbasan dhe në bashkitë përreth, situata është njësoj. Në Berat gjithashtu. Supozimi që Durrësi, Shijaku, Kavaja, Kruja e Fushë-Kruja do t’i derdhin plehrat në landfillin e Tiranës, pa ia nënshtruar kurrfarë seleksionimi paraprak në qytetin përkatës, dukshëm shkakton ndotje të kotë dhe kosto të paarsyeshme transporti.
Në fund, zgjidhja konsiston në parimet e Bashkimit Evropian, të atyre parimeve që qeveria hodhi në erë me skemën piramidale të koncesioneve, të cilat janë: kufizimi i prodhimit të mbetjeve, ndarja në burim, riciklimi, groposja, dhe në fund fare, nëse këto metodat e mëparshme nuk arrijnë ta zgjidhin problemin, incinerim. Vetëm se qytetarët kanë të gjithë të drejtat të dyshojnë se një qeveri e kapur në korrupsion kaq masiv, do të jetë në gjendje të bëjë ndonjë gjë për të zgjidhur problemin e mbetjeve, me përjashtim të videove me polic dhe me kosh plehrash dhe me makinë luksoze./Marrë nga Reporter.al