Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe furrat e bukës dhe të prodhimit të miellit të përfaqësuara nga shoqëria “Furnizuesi i Shërbimit Universal” (FSHU), nuk kanë rënë dakord për rishikimin e çmimit për furnizimin me energji elektrike të aktivitetit të furrave të bukës.

Vendimi është bërë publik nga ERE, në të cilin arsyetohet se në kushtet, kur FSHU nuk ka plotësuar kriteret mbi të cilat ERE do të mund të vlerësojë dhe analizojë kostot e aktivitetit, nivelin e synuar të të ardhurave të kërkuara, ka refuzuar kërkesën e shoqërisë FSHU-së sh.a. për rishikimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike për subjektet që ushtrojnë aktivitetin “Furra buke dhe/ose prodhim mielli”.

Kërkesa për uljen e çmimit të energjisë elektrike

FSHU-ja, pak muaj më parë, depozitoi në ERE kërkesën për rishikimin e çmimit të energjisë elektrike për subjektet që ushtrojnë aktivitetin “Furra buke dhe/ose prodhim mielli”.

Shoqata kërkonte aplikimin e drejtë dhe jodiskriminues të çmimeve të energjisë elektrike ndaj klientëve, si dhe përfitimin e çmimit vetëm për aktivitete të caktuara.

FSHU-ja kërkonte rishikimin e modaliteteve për përcaktimin e saktë të kategorive furrë buke dhe/ose prodhim mielli, si dhe rishikimin e tarifës për njësi bazuar në kostot reale të furnizimit me energji elektrike.

Përfaqësuesit e shoqatës, në takimin me ERE, u shprehën se ndarja e ambienteve për qëllime të faturimit të energjisë së konsumuar dhe aplikimi i udhëzimit të nxjerrë nga FSHU, ka shkaktuar probleme, si dhe abuzime duke sjellë si pasojë dhe rritje të kostove të aktiviteteve të furrave të bukës dhe prodhuesve të miellit, të cilët janë vënë në presion për të përballuar koston e rritur të energjisë elektrike pa rritur çmimin e shitjes së bukës, si dhe risollën propozimin e aplikimit të një çmimi të unifikuar, duke përfshirë në këtë kategori dhe furrat me prodhim dhe tregtim buke dhe pastiçerie.

Përfaqësuesit e shoqërisë, ndër të tjera, argumentuan dhe u shprehën mbi problematikën që kanë sa i takon faturimit të drejtë të kategorisë së klientëve furre buke dhe/ose prodhim mielli, si dhe fitimit të munguar që po i shkaktohet nga faturimi me çmimin e subvencionuar prej 7.6 lekë/këh i vendosur nga ERE dhe i lënë në fuqi dhe për vitin 2023. –

Reagimi i ERE dhe refuzimi për rishikimin e çmimit

Përfaqësuesit e ERE-s i bënë të qartë palëve se procesi i rishikimit të çmimeve të shitjes së energjisë elektrike për FSHU sh.a. duhet të jetë i mbështetur në përcaktimet e “Rregullores për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”, si dhe metodologjisë së përcaktimit të çmimeve për shitjen e energjisë elektrike me pakicë te klientët fundorë që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU).

Në vijim të seancës, palëve ju bë me dije se kërkesa për rishikimin e çmimit për kategorinë furra buke dhe/ose prodhim mielli do të çonte në rishikimin e çmimit për të gjithë kategoritë e konsumatorëve, si dhe duhet të paraqitet në formë të mirëfilltë aplikimi për çmimet e shitjes me pakicë të energjisë elektrike te klientët fundorë të shërbyer prej FSHU.

“Shoqëria FSHU duhet të paraqesë informacion të detajuar mbi alokimin e kostove dhe kapaciteteve reale për 12 muajt e fundit, për secilën kategori klientësh, në mënyrë që të kryhet një vlerësim i drejtë dhe i mbështetur në të dhëna konkrete dhe reale.”- thuhet në procesverbalin e mbledhjes që publikohet nga rtsh.al.

Në përfundim të afateve dhe në kushtet kur asnjëra nga palët nuk përcolli në ERE detyrat për të cilat ishte rënë dakord dhe kur FSHU nuk ka përcjellë aplikim për përcaktimin apo rishikimin e çmimeve të shitjes së energjisë elektrike, si dhe asnjë të dhënë dhe informacion sikurse përcaktohet në rregullore, ERE vendosi të refuzojë kërkesën e shoqërisë FSHU-së për rishikimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike për subjektet që ushtrojnë aktivitetin “Furra buke dhe/ose prodhim mielli”.

” Refuzimin e kërkesës së shoqërisë FSHU sh.a. për rishikimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike për subjektet që ushtrojnë aktivitetin “Furra buke dhe/ose prodhim mielli”. Drejtoria e Tarifave dhe Çmimeve të njoftojë shoqërisë FSHU sh.a., Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për vendimin e Bordittë ERE-s.”- thuhet në vendim.

/rtsh.al/ a.meta/