Pas mjekëve dhe infermierëve, edhe psikologët po shënojnë rritje të kërkesës për të ushtruar profesionin e tyre jashtë vendit.
Pranë Urdhrit të Psikologut, çdo muaj shënohen 3–4 psikologë që kërkojnë të tërheqin certifikatën e sjelljes së mirë.
“Mund të kemi diku te 20 apo 30 raste gjatë vitit, që është shumë për profesionin e psikologjisë. Ata janë psikologë që kërkojnë të largohen nga Shqipëria për të gjetur mundësi punësimi diku tjetër. Me çfarë kemi marrë informacion … kanë qenë Italia, Franca, Gjermania, Austria, këto vendet e afërta. Pa dyshim që ka edhe për Amerikë apo Kanada,” thotë Valbona Treska Presidente e Urdhrit të Psikologut.
Por cilat janë shkaqet që po i shtyjnë psikologët drejt këtij emigrimi profesional.
“Unë vlerësoj që pagat e ulëta dhe ambientet, kushtet e punësimit, vështirësia për të përballuar jetën, janë ndër shkaqet kryesore të largimit të këtyre psikologëve,” shton Treska.
Por diploma e psikologut shqiptar nuk njihet ende jashtë vendit dhe për këtë ka një lajm të mirë.
“Po punojmë aktualisht që çdo psikolog në Shqipëri të përfitojë certifikatën Europsy, që është një certifikatë që jepet nga Federata Europiane e Psikologëve dhe shërben për të njohur diplomën edhe në Europë,” shprehet Presidentja e Urdhrit të Psikologut.
Psikologët që largohen janë relativisht mosha të reja, më i moshuari 45 vjeç.
Ka nga ata që kanë investuar fort në kualifikimin profesional në vend, por ka edhe të rinj që duan të përballen me një dimension tjetër jashtë Shqipërisë.