Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali ka kundërshtuar drejtuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, pasi ky i fundit ka deklaruar se klima e biznesit në vendin tonë është jo miqësore. Në një postim në Facebook, Bilali shkruan se Jaço është kontradiktor në qëndrimet e tij në raport me investimet amerikane në vend, pasi njëherë ka deklaruar se investimet nga SHBA në Shqipëri janë trefishuar dhe më pas thotë se investuesit amerikanë janë hasur me problematika.
Ministrja thotë se që kur mban këtë post nuk ka dëgjuar për ndonjë kompani amerikane apo europiane, që e ka penguar klima e biznesit në Shqipëri të investojë. Madje ajo edhe ngre një pyetje për Jaçon se si e shpjegon faktin se amerikanët investuan 3 herë më shumë në Shqipëri për 4 vitet e fundit. Bilali thotë se Jaço ndryshoi qëndrim pas publikimit të raporti të DASH, i cili sipas saj është marrë copy paste dhe nuk është rifreskuar prej 2 vjetësh.
“Drejtuesi i AmCham para 4 ditësh (vetëm pasi u publikuan statistika me shifra) pohon dhe shprehet i kënaqur që janë 3-fishuar investimet amerikane ne vend. 3 ditë më vonë pas publikimit raportit të Departamentit të Tregtisë (i parifreskuar prej 2 vjetësh), rimarrë nga DASH me disa ndryshime, shprehet që problem është klima jo miqësore e biznesit. Pyetja që të vjen menjëherë në mendje është, si e shpjegon drejtuesi shqiptar i AmCham (normalisht ai duhet të kontribuoje në leximin objektiv të aktualitetit në terren) faktin se amerikanet investuan 3 herë më shumë në Shqipëri për 4 vitet e fundit, ndërkohë që një seri investimesh të tjera të mëdha amerikane janë ne proces përgatitjeje?!
Askush nuk i mohon këto probleme, po qyshse jam në këtë detyrë as e kam hasur dhe as kam dëgjuar për ndonjë kompani amerikane apo europiane, që e ka penguar klima e biznesit në Shqipëri të investojë! Madje përkundrazi, kam pasur vetëm reagime shume pozitive prej tyre për mikpritjen dhe trajtimin në Shqipëri. Njëjtë kam dëgjuar edhe nga koleget e mi! Sa gjynah kur bashkëqytetarë tanët, aq me tepër në funksione të tilla ndikojnë për keq, pa asnjë fakt apo shifër, në ushqimin e perceptimeve të deformuara prej vitesh qoftë tek opinioni publik, qoftë tek miqtë dhe partnerët e huaj! Por shyqyr në fund mbetet si gjithnjë puna me faktet e punës, për të cilat flet sot edhe Shqipëria turistike, me të dhënat e saj mbresëlënëse”, shkruan ministrja.
Në fund Bilali thotë se këto deklarata pa shifra e fakte ndikojnë tek opinioni publik, qoftë tek miqtë apo partnerët e huaj.