Nga Eliona Shkreli
“Dukagjini kërkon rrugën” ishin protestat e organizuara nga komuniteti dukagjinas dhe ai shkodran pak muaj më parë, njërës prej të cilave iu bashkova edhe unë, sepse kauza ishte mëse e drejtë!
U cilësuan protesta model për shkak të qytetarisë që përcillnin, protesta që të merr malli me I pa’, në të cilat morën pjesë dukagjinas e shkodranë, malësorë e qytetarë, muslimanë e katolikë, pa dallim krahine e feje, vetëm për një qëllim të përbashkët…Ndërtimin e rrugës së Dukagjinit!
Ajo rrugë është dëshmitare e dhjetra vdekjeve si pasojë e aksidenteve, ka përjetuar humbje të rënda e tragjike dhe asnjëherë shteti nuk iu përgjigj nevojës minimale që ka kjo zonë dhe banorët e Saj, rikonstruksionin e rrugës!
Sot një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në këtë aks, në fshatin Plan të njësisë administrative Pult. Një tjetër dukagjinas u aksidentua me automjetin e Tij duke përfunduar disa metra poshtë nën rrugë, e gjëndja e Tij mësohet se është e rëndë!
Nuk e di edhe sa aksidente të tjera duhet të ndodhin që shteti të ndërgjegjësohet e t’i thërrasë mëndjes se kjo rrugë ka marrë boll jetë njerëzish!
Z.Beci në fushatën e Tij elektorale për kryebashkiak e premtoi rrugën e Dukagjinit, dhe duhet t’a marrë seriozisht këtë premtim që ka bërë. Të lobojë e të garantojë se punimet do fillojnë në një datë, në pranverë apo në verë, mjafton që t’i sigurojë banorët e Dukagjinit se shteti nuk do I braktisë dhe se këtë herë do t’a mbajë premtimin për rrugën pas gjithë premtimeve të kahershme e kurrë të realizuara, por të devijuara nga Dukagjini!
Sot e rëndësishme është që I plagosuri t’i mbijetojë këtij aksidenti, të lutemi të gjithë për shëndetin e Tij. Ndërsa nesër të mos harrojmë faktet tragjike të kësaj rruge, por t’ja rikujtojmë herë pas herë kësaj qeverie dhe këtij kryebashkiaku se nuk do tolerohen më gënjeshtrat e premtimeve boshe dhe se do të jemi aty, të gjithë bashkë edhe njëherë e qindra herë derisa kauza e një komuniteti të tërë të realizohet deri në fund!
“Dukagjini kërkon rrugën” do të jetë një çekiç mbi kokën e qeverisë dhe të Bashkisë derisa të ndërhyhet në ndërtimin e saj në mënyrë që të mos të cilësohet më si “rruga e vdekjes”!