Nikoll Sherrniku, njeriu i cili konsiderohet nga policia kriminale si shoferi i Ervis Martinaj, kërkon nga Gjykata e Apelit rrëzimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, dhe hetimin e tij në një masë më të butë. Masa “arrest në burg” është vendosur pak ditë më parë, pas dyshimeve se Sherrniku ishte i përfshirë në atentatin me armë ndaj vëllezërve të Fatjon Muratit, në “Don Bosko”. Por ai vetë e ka mohuar këtë, duke thënë se ka qënë në burgun e “Shën Kollit” në momentin kur ka ndodhur krimi.
Aktualisht hetimet për atentatin në zonën e “Don Boskos”, janë fokusuar tek Nikoll Sherrniku, ndërsa pritet që seanca të zhvillohet në ditët në vijim. Emri i Nikoll Shërrnikut, si person i dyshuar implikohet në këtë ngjarje kriminale përmes targës gjermane “RE HX 112”, e cila në datën 12 Mars 2023 u përdor në mjetin tip” BMW X6”, ku u qëllua me armë automatike në drejtim të lokalit të Fation Muratit, raporton “Ora News”.
Për herë të parë emri i Nikoll Sherrnikut, është përmendur nga një shtetas sirian që punon në një servis në Gjermani. Qëllimi i këtij sulmi me armë ka qënë vrasja e Ervis dhe Elvin Murati, vëllezërit Fation Muratit. Por në këtë atentat mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja, ndërsa u plagosën Shehat Murati, Astrit Memaj, Genci Shaholli, Ermir Dajçuk, Emanuel Çala dhe 10-vjeçarja R.P.
Thahir Alleat, me kombësi siriane, punonjës në ambjentet e servis “Gago” në Gladbek të Gjermanisë, ka ndihmuar në identifikimin e Nikoll Shërrnikut.
Siriani Alleat, fillimisht i ka pohuar pronarit të tij kosovar, Gazmend Jakupi, se targën “RE HX 112” dhe dy targa të tjera i kishte marë në 2020 nga ambjentet e servisit, Nikoll Shërrniku.
Këtë dëshmi punonjësi sirian ia ka dhënë Gazmend Jakupit, vetëm pasi policia gjermane dhe ajo kosovare, kishin intensifikuar hetimet për pronarin e servisit, pasi biznesi i tij ishte zbuluar se kishte lëshuar targat për një automjet “Audi A6”, i cili më pas ishte shitur për skrap në fshatin Drenas të Kosovës.