Trembëdhjetë punonjës të policisë së Shkodrës, mes tyre dhe zëvendës drejtori i policisë së Shkodrës, Hajri Kushe dyshohet jo vetëm që kanë shpërdoruar detyrën por se kanë favorizuar në mënyrë të ripërsëritur kultivuesit e bimëve narkotike. Sipas hetimeve të prokurorisë së Shkodrës ata kanë lejuar kultivuesit që të krijohej një strukturë të mirëorganizuar prej kohësh për kultivimin e një sasie shumë të madhe bimësh narkotike në 3 fshatra të njësisë administrative Ana e Malit
Këta shtetas, në kundërshtim me ligjin dhe duke shpërdoruar detyrën, jo vetëm që nuk kanë marrë masa për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Shkodrës, por dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të ripërsëritur kultivuesit e bimëve narkotike duke lejuar këta të fundit të krijonin një strukturë të mirëorganizuar prej kohësh për kultivimin e një sasie shumë të madhe bimësh narkotike në 3 fshatra të njësisë administrative Ana e Malit”
Gjithashtu u siguronin informacione se kur do të ndërhynte policia apo dhe shmangnin kontrollin në koordinatat e duhura.
“Përveç kësaj, nga ana e punonjësve të policisë dyshohet se është bashkëpunuar me kultivuesit duke iu siguruar atyre informacione në lidhje me ndërhyjet që do të bënin punonjësit e policisë në zonë, me qëllim marrjen e masave për heqjen e bimës në kohë dhe largimin e punonjësve nga vendi i ngjarjes.
Me dashje ata kanë shmangur kontrollin në koordinatat e pasqyruara saktë në informacionet e agjencive të tjera të ligjzbatuese duke devijuar kontrollin e territorit në zonën që ushtrohej veprimtaria e kultivimit të bimëve narkotike me qëllim për t’i dhënë kohë kultivuesëve të hiqnin sa më shumë bimë narkotike, duke u justifikuar me faktin se nuk kapnin valët e internetit dhe për rrjedhojë nuk gjenin dot koordinatat” thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Rasti i fundit ishte ai i 17 qershorit 2022.
“Në datën 17 Qershor 2022, forcat e policisë në zbatim të planit të masave nën drejtimin e ish shefit të krimeve P.Sh., kanë ushtruar kontroll fillimisht në fshatin Vallas dhe më pas edhe në fshatra të tjera afër tij që i përkasin njësisë administrative Ana e Malit. Në koordinatat e dhëna atyre në mënyrë të ripërsëritur në informacionet e administruara, koordinata që në fakt i kanë gjetur për rreth 45 minuta nga momenti që janë nisur për në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar parcela të tëra të mbjella me bimë narkotike, banesa të braktisura të mbushura me lëndë narkotike të tharë, si dhe ambiente të përshtatura për punë dhe fjetje të rreth 80 punonjëseve femra, të cilat duke patur parasysh sendet personale të lënë aty si dhe ushqimin, kanë qënë duke punuar dhe janë larguar me urgjencë nga ndërhyrja e policisë. Në vendin e ngjarjes është paraqitur shtetasi A.P i cili ka pranuar se parcelat i përkisnin atij, por pavarësisht këtij fakti nga punonjësit e policisë dyshohet se i janë krijuar kushtet për tu larguar nga vendi i ngjarjes duke mos zbatuar me dashje rregullat bazë të punës së punonjësit”
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër pas një hetimi të thelluar dhe kompleks, në kuadër të procedimit penal nr.951, datë 6 Korrik 2022, ka kërkuar marrjen e masave të sigurimit personal për 13 persona, punonjës të policisë së këtij qyteti.