Gazetari Artan Hoxha foli për gjyqin e zhvilluar për masën e sigurisë ndaj Safet Gjicit dhe Alma.K, ku ish kryebashkiaku u la në qeli ndërsa gruaja që realizoi videon me përmbajtje erotike, u la në arrest shtëpie. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Hoxha tha se Gjici akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Alma.K për korrupsion aktiv. Sipas gazetarit, në sqarimet e dhëna gjatë seancës, Alma.K ka deklaruar se gjatë takimit të parë me Gjicin, i është krijuar përshtypja se ish kryebashkiaku i Kukësit kishte një pëlqim ndaj saj dhe për këtë arsye vendosi ta filmojë në takimin e dytë.

“U bë përpjekje që kjo çështje të zgjasë vetëm tre ditë, por nuk ndodhi kështu. Publikimi i videos së plotë, bëri që historia të merrte një rrjedhë tjetër. Kemi të bëjmë me një vepër penale që është në tagrin e SPAK. Sot gjykata bëri njohjen e vendimit. Gjykata vendosi masën arrest me burg për Safet Gjicin. Për zonjën Alma, gjykata ka vendosur masën arrest shtëpiak, sepse ka një fëmijë 12 vjec dhe nënën e sëmurë. Prokuroria nuk ka gjykuar që ajo përbën rrezikshmëri që mund të dëmtojë hetimin. I kanë mbajtur edhe pasaportën. Ajo që ndodhi në gjykatë, hyrja e shtetases A.K u bë nga dera kryesore e SPAK. Nuk është ajo zakonisht dera për këta persona, zakonisht hyjnë në pjesën e mbrapme. Zoti Gjici ishte mbrapa kafazit, zonja A.K jashtë kafazit. Zoti Gjici u mundua të shpjegojë se nuk ka shkelur ligjin dhe tha se ka patur një njohje. Gjici tha se ka marrë ndëshkimin moral por nuk ka bërë shkelje ligjore, pasi ai nuk ka patur projekt në dorë dhe sipas atij meqenëse nuk ka projekt dhe vendim, kjo vepër nuk është kryer.

A.K ka shpjeguar rrethanat. Ka thënë që ishte takimi i dytë. Në takimin e parë ka ndjerë një lloj afiniteti me Gjicin dhe në të dytën e ka regjistruar. Zonjën A.K, e kanë futur te korrupsioni aktiv ndërsa Gjici korrupsion pasiv. Gjici këmbënguli që nuk ka të bëjë me korrupsionin. Nga krahu tjetër, premtimi është bërë, video dëshmon që jo vetëm është bërë, por kryetari i Bashkisë ka marrë dokumentacionin. Mbledhja nuk ndodhi sepse video rrodhi. Dëgjuam që pajisja është një çantë e ardhur nga India. Ka qenë një gotë, ose termus, kamera u vendos në pjesën e sipërme. Nuk hyje dot në zyrën e Gjicit me asgjë, as me celular… Kurthi si ngrihet? Kur ti e merr vesh që te ky shtegu kalon një sorkadhe, ngre grackën. Pra, nuk është se u ngrit një kurth dhe ai nga rrethana zero ra te kurthi. Ai dihej që kishte këtë lloj problemi dhe te kjo pikë e dobët u godit. Zonja tha, kisha bërë takim të parë me zotin Gjici dhe aty kuptova se kishte simpati ndaj meje. Kuptova që në takimin e dytë mund të shkonim në marrëdhënie dhe e filmova. Që të mos dilte video janë paguar para. Video doli. Tani ma thua dot, këta që kanë paguar para, i kanë kthyer lekët mbrapsht?”, tha Hoxha.