13 punonjës të policisë së Shkodrës janë ndaluar dhe janë vënë nën hetim nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Mes të ndaluarve është edhe zëvendës drejtori i policisë së Shkodrës Hajri Kushe. Të ndaluarit dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në njësinë Administrative ‘Ana e Malit’ si dhe kanë neglizhuar marrjen e masave të domosdoshme për arrestimin e autorëve.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se është caktuar masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për dy punonjës të policisë, konkretisht shefin e seksionit të krimeve, Pëllumb Shpati dhe efektivin Taulant Kurtaj. Në janar të këtij viti, banesës së Pëllumb Shpatit, iu vendos një sasi tritoli që shkaktoi dëme të shumta në banesë dhe automjetet e parkuara. Në dëshminë e tij ai u shpreh se nuk kishte konflikte me askënd dhe se vendosja e lëndës plasëse lidhej me detyrën e tij si shef i krimeve në Shkodër. Aktualisht ai akuzohet për shpërdorim të detyrës duke lejuar kultivimin e kanabisit si dhe mbështetje të autorëve të dyshuar për këtë veprimtari kriminale.

Janë ndaluar:

-Hajri Kushe – Zëvendësdrejtor i krimeve në Qarkun e Shkodrës (Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit)

-Dedim Gjeta – Shef krimesh, ish shef i komisariatit të Shkodrës, aktualisht shef rendi i Lezhës (Ndalim dalje jashtë shtetit)

-Asllan Shytaj – Ndalim dalje jashtë shtetit;

-Arben Memaj – Ndalim dalje jashtë shtetit;

-Arben Dekovi – Ndalim dalje jashtë shtetit;

-Ilir Hasaj- Ndalimi i daljes jashtë shtetit

-Vehbi Nase – Pezullim i ushtrimit të detyrës,

-Gjin Guri – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

-Nazmi Beqiri – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

-Sokol Pjetri – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

-Ardis Çoçja – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

Mësohet se hetimet kishin nisur që prej një viti, paralelisht me aksionet për shkatërrimin e 70 mijë rrënjëve kanabis në zonën e Anes se Malit, ku këta efektivë nuk kanë ndërhyrë, duke shpërdoruar detyrën. Ka qenë prokurorja e Shkodrës Blerta Hamza ajo që ka firmosur vendimin për punonjësit policorë të akuzuar.